Sutra e Sigalakës

Ky rrjet marrëdhëniesh është tema e një teksti Budist të njohur si Sigalaka Sutta, i cili gjendet në Digha Nikaya, “Koleksioni i Fjalimeve të gjata”, në Kanunin Pali. Është një tekst relativisht i hershëm, thelbi i të cilit, me plot bindje, shkon deri tek vetë Buda. Quhet Sigalaka Sutta sepse është një fjalim i dhënë nga Buda për një të ri të quajtur Sigalaka. Një përkthyes e përshkruan sutta-n si “Këshilla për njerëzit laikë”. Aty Buda parashtron një model për lloje të ndryshme marrëdhëniesh, duke shpjeguar se si duhet të zhvillohet secila. E gjithë kjo është paraqitur me aq qartësi dhe përmbledhje, saqë mbart mjaft interes edhe sot.

Sigalaka është një brahmin i ri, që do të thotë se ai i përket kastës priftërore, kastës më të lartë dhe më me ndikim në shoqërinë indiane. Hyrja e sutta-s raporton se Buda takohet me Sigalakën herët një mëngjes. Rrobat dhe flokët e Sigalakës ende pikojnë nga rituali pastrues i banjës së tij. (Kjo është diçka që mund ta shihni ende sot – brahminë që qëndrojnë në lumin e shenjtë Ganxhis në Varanasi, duke u zhytur në ujë dhe duke recituar mantra). Pasi ka bërë banjën e tij, Sigalaka është i angazhuar në adhurimin e gjashtë drejtimeve: veri, jug, lindje, perëndim, zenit dhe nadir.

Ai e bën këtë – kështu po i rrëfen ai Budës – në zbatim të amanetit të babait, që të mbrohet nga çdo dëm që mund të vijë nga cilido nga gjashtë drejtimet. Më pas Buda i thotë Sigalakës që edhe pse adhurimi i gjashtë drejtimeve është i drejtë dhe i duhur, ai nuk po e bën atë siç duhet, nëse do që adhurimi i tillë ta mbrojë në mënyrë efikase. Më pas ai vazhdon të shpjegojë se çfarë përfaqësojnë në të vërtetë gjashtë drejtimet.

Lindja, thotë ai, do të thotë nënë dhe baba (në gjuhët indiane nëna vjen para babait) sepse e ka origjinën nga lindja. Pra, marrëdhënia e parë që i referohet Buda është ajo midis prindit dhe fëmijës. Sa i përket drejtimeve të tjera, ato i referohen marrëdhënieve të tjera kyçe në jetë: jugu, raportit mes nxënësit dhe mësuesit; perëndimi atij mes burrit dhe gruas; veriu miqve dhe shokëve; nadiri marrëdhënies midis “zotit dhe shërbëtorit” (në terma moderne, punëdhënësit dhe punonjësit); dhe zeniti marrëdhënieve ndërmjet laikëve dhe “asketëve e brahminëve”.

Adhurimi i vërtetë i gjashtë drejtimeve, shpjegon Buda, konsiston në kryerjen e detyrave të gjthkujt në lidhje me këto marrëdhënie. Një veprim i tillë etik është natyrshëm produktiv për lumturinë dhe në këtë kuptim njeriu mbron veten nëpërmjet këtij lloj “adhurimi”. Këtu Buda e vendos individin në qendër të një rrjeti marrëdhëniesh, nga të cilat ai numëron vetëm gjashtë. Buda duket se u jep një theks të njejtë këtyre gjashtë marrëdhënieve kryesore, të cilat përfaqësojnë në masë të gjerë ndërveprimin njerëzor, dhe në këtë aspekt ai është përfaqësues i kulturës së tij, atë të Indisë verilindore në shekullin e gjashtë para erës sonë.

—Sangharakshita

————————-

Sigalaka Sutta – Këshilla për njerëzit laikë

Marrjen e jetës dhe vjedhjen, gënjeshtrën,
Tradhtinë në çift - të urtit qortojnë.

Lakmia dhe urrejtja, frika dhe padituria:
Kush thyen ligjin shpirtëror me to,
Humb tërësisht nderin e tij
Porsi hëna gjatë rënies së saj.

Lakmia dhe urrejtja, frika dhe padituria:
Kujtdo që këtyre kurrë s'u dorëzohet 
I rritet nderi dhe mirësia
Porsi hëna gjatë shkëlqimit të saj.

Disa janë miq për pije, dhe disa
E pretendojnë miqësinë përpara teje,
Por ata që janë miq në nevojë,
Vetëm ata janë miq të vërtetë.

Fjetja vonë nga ahengu, tradhëtia në çift,
Dëshira për t'u grindur, keqbërja,
Miqtë e këqinj dhe koprracia,
Këto të gjashta e shkatërrojnë njeriun.

Ai që del me miq mistrecë
Dhe e kalon kohën duke bërë keq,
Në këtë botë si dhe në tjetrën
Ka për të vuajtur mjerim.

Kumari, kurvërimi, si dhe dehja,
Vallëzimi a këndimi i ahengut, gjumi i ditës si rrjedhojë,
Vërdallisja orar pa orar, miqtë e këqinj
Dhe koprracia, e shkatërrojë njeriun.

Kush luan kumar dhe rrëkëllen deri në dehje
Dhe shkon me gratë e dashura të të tjerëve.
Merr më të ultën, rrugën imorale,
Dhe zhduket gradualisht si hëna gjatë zbehjes.

Pijaneci, i thyer dhe varfanjak,
Aq më i etur sa më shumë pi,
Si guri në ujë zhytet në borxhe,
Shpejt i braktisur nga të afërmit e tij.

Kush kalon ditën në gjumë,
Dhe bën natën kohën e zgjimit,
Gjithnjë i dehur dhe epshor,
Nuk mban dot shtëpi të mirë.

"Shumë ftohtë! Shumë nxehtë! Shumë vonë!"- lëngojnë,
Duke i zvarritur punët mënjanë,
Derisa çdo mundësi që kanë pasur
Për të bërë mirë është venitur.

Por kush e sheh të ftohtin a të ngrohtin
Krejt të pa vlerë; dhe si burrë
Bën detyrën që ka në dorë,
Gëzimi i tij nuk do të shuhet kurrë.

O bir i të zotit të shtëpisë, janë këta katër lloje që janë qartazi armiq, por që hiqen si miq: ai që vetëm merr është një, llafazani një tjetër, lajkaxhiu, dhe dorëshpuari po ashtu.

  1. Kushdo që vetëm merr është një mik i rremë për katër arsye: merr gjithçka, do shumë për hiçgjë, çfarë bën e bën nga frika, dhe kërkon fitimin e vetë.
  2. Llafazani është një mik i rremë për katër arsye: flet për nderet e së kaluarës, e për të ardhmen, të dend me fjalë premtimesh boshe, dhe kur diçka duhet bërë në të tashmen, thotë që smundet për shkak të ndonjë katastrofe.
  3. Lajkaxhiu është një mik i rremë për katër arsye: pranon bëmat e këqija, kundërshton ato të mirat, të mburr ty në fytyrë, dhe të poshtëron prapa krahëve.
  4. Dorëshpuari është një mik i rremë për katër arsye: të shoqëron për t’u dehur, kur vardisesh rrugëve orëve të vona, kur shkon nëpër festa, dhe kur luan kumar.
Kush kërkon vetëm të marrë,
Kush flet veçse fjalë boshe,
Kush të mbush veçse me lajka,
Kush të bëhet palë dorëshpuar:
Këta katër në të vërtetë janë armiq e jo miq.
Një i mënçur, e kupton këtë,
E mban veten fort larg tyre
Siç do bënte ndaj ndonjë shtegu tmerrues.

Ka katër lloj (shokësh) që mund të shihet që janë miq besnikë: miku që është ndihmues është nji, miku që është i njëjtë në kohë të lumtura e të palumtura është nji, miku që të tregon çfarë është mirë për ty është nji, dhe miku dashamirës është nji.

  1. Miku ndihmues mund të shihet të jetë një mik besnik në katër mënyra: ai (ajo) kujdeset për ty kur ti je i pavëmëndshëm, ai kujdeset për gjërat e tua kur ti je i pavëmëndshëm, ai është strehë (emocionale, të del për zot) kur ti ke frikë, dhe kur bëni biznes bashkë ai të jep dyfishin e asaj që ti ke kërkuar.
  2. Miku që është njëlloj në kohë të lumtura e të palumtura mund të shihet të jetë një mik besnik në katër mënyra: ai të tregon sekretet e tij, ai ruan sekretet e tua, ai nuk të lë vetëm në fatkeqësi, ai biles do jepte jeten e tij për ty.
  3. Miku që të tregon çfarë është mirë për ty mund të shihet të jetë një mik besnik në katër mënyra: ai të mban që të mos bësh gabime (të pengon ti bësh ato), ai të suporton kur ti bën mirë, ai të informon për gjëra që ti nuk kishe djeni, dhe ai të tregon udhën shpirtërore.
  4. Miku dashamirës mund të shihet të jetë një mik besnik në katër mënyra: ai nuk gëzohet me fatkeqësitë e tua, ai gëzohet me fatin tënd të mirë, ai ndalon të tjerët që flasin kundra teje (mbrapa krahëve), dhe ai lavdëron të tjerët që flasin mirë për ty.
Miku që është ndihmues dhe
Miku në kohë të mira e të këqija,
Miku që të tregon rrugën e duhur (e drejtë),
Miku që është dashamirës:
Këta katër lloj shokësh i mënçuri
Duhet ti njohi në vlerat e tyre të vërteta, dhe ai
Duhet ti ruajë ata me kujdes, ashtu siç
Nëna bën me fëmijën e saj më të dashur. 

Njeriu i mënçur i trajnuar dhe i disiplinuar
Shkëlqen si një zjarr pishtari.
Ai mbledh pasuri ashtu si bleta
Mbledh mjaltë, dhe rritet
Edhe më lartë si një fole milingonash.
Me pasuri të mbledhur kështu shtëpiaku mund
Ta kushtojë atë për të mirën e njerëzve të vetë.

Ai duhet ta ndajë pasurinë e tij në katër pjesë
(kjo ka për të sjellë më shumë avantazh për të).
Një pjesë ai mund ta shijojë sipas dëshirës së tij,
Dy pjesë ai duhet ti fusi në punë (të paguajë jetesën),
Pjesën e katërt ai duhet ta ruajë
Si rezervë për kohë të veshtira.