Puxha e Mirënjohjes

ADHURIM

Nga thellesia e ngrohtë e tokës 
Plot jetë 
Ofroj tulipanë, dafodillë të artë e luledielli, 
Lule manjola dhe kamelia rozë, 
Si dhe lule jasemini plot aromë. 
Nga qielli i hapur blu 
Rrezatues plot jetë 
Ofroj re që ndryshojnë vazhdimisht, 
Perëndime shumëngjyrëshe dhe nuanca mëngjesi. 
Zogj që përkëdhelin flladin; 
Çafka, qifte dhe shqiponja. 
Nga ujërat e freskët e të pastër 
Tejpamës plot jetë 
Ofroj reflektime malesh, 
Qetësi hyjnore e valëzime dallgësh. 
Peshq që notojnë dhe bilbila që sodisin. 
Për ata që meritojnë lëvdata e respekt 
Ofroj gjithë bukuritë e natyrës. 
Ju lutem pranojini ato nga unë.

TË KËRKOSH SHPËTIM

Unë kërkoj shpëtim tek të gjithë Budat dhe Bodisatvat. 
I hapur ndaj mençurisë dhe dhembshurisë së tyre 
E kthej jetën time drejt influencës së tyre. 
E kthej zemrën time drejt dashamirësisë së tyre. 
E kthej mendjen time drejt udhëzimit të tyre. 
Çdo ditë dhe çdo orë 
Le të kujtohem ti sjell ata ndërmend, 
Dhe të hyj në këtë botë 
Me ata krah meje. 
Çdo ditë dhe çdo orë 
Le të kujtohem se dëshiroj të jem 
Një prej fëmijëve të Budës 
Dhe të veproj si i tillë, 
Me Tre Stolitë gjithmonë në zemrën time. 

RRËFIM

Pasi ende nuk jam një bodisatva i përkryer 
Me keqardhje kam lënduar veten e të tjerët. 
Tek të gjithë Budat dhe mësuesit e mi 
Rrëfej çdo paaftësi të trupit, të fjalës dhe të mendjes. 
Ashtu si gjethet e vjeshtes që shtrihen 
Përreth kembëve të lisit të madh 
Ashtu edhe injoranca e karmës sime, 
Dhe pasojat e veprimeve të mia mbi veten e të tjerët, 
Le të bien tek këmbët e Budës. 
Le të mësoj nga gabimet e mia, 
E t'i lë vend bëmave të mençura 
Të lulëzojnë, duke lënë pas 
Të gjithë paaftësitë e mia, 
Ashtu si në Pranverë zënë zanafillë 
Lulet e bimët e reja Le të pranohet kjo thirrje nga mësuesit e mi, 
E të qëndroj unë i palëkundur dhe i vërtetë 
Në dëshirën time për të ndryshuar, 
Në dëshirën time në të mirë të të tjerëve 
Dhe në dëshirën time për të kuptuar të Vërtetën. 

MIRËNJOHJE

Me dashuri dhe respekt 
Ndaj Atyre qe janë Zgjuar prej të cilëve unë mësoj 
I përulem me mirënjohe 
Dhe i falenderoj për bekimet e Darmës, 
Që ata më kanë transmetuar. 
Për përpjekjet dhe vendosmërinë 
E treguar nga Budat dhe Bodisatvat 
Dhe të gjithë mësuesit e së shkuarës dhe të tashmes 
I përulem me vlerësim. 
Pa besimin e tyre ku do të isha unë tani? 
Duke iu gëzuar meritave të tyre 
Dhe duke i kënduar lavdërime, 
Plot gëzim nga kënaqësia e fatit tim të mirë 
I përulem me falenderim 
Dhe i gëzoj kaq shumë mirësie në këtë botë. 
Mirënjohja ime është përmbytëse. 
Si thellësitë e shumë oqeaneve, 
Si lartësitë e madhërishme të maleve, 
Si hapësirat e pamata të shkretëtirës 
Si bukuria e pasur dhe e dendur e pyjeve, 
Le të qëndrojë e fortë dhe e bollshme 
Dashuria dhe respekti im për mësuesit 
Edhe në kohë vështirësish. 
Herë pas here krenaria dhe frika ime nuk më lejojnë 
Të gëzohem për arritjet e të tjerëve 
Në botëkuptimin e tyre më të madh, 
Dhe përkujdesin e konsideratën që kanë treguar për mua. 
Duke vënë mënjanë pasiguritë e mia 
I përulem me mirënjohje të madhe.
Le ta pranojnë urimin tim të ndjerë falenderues 
Të gjtihë Budat, Bodisatvat 
Dhe mësuesit e mi. 

KËRKESË

Me hijeshi dhe nderim u kërkoj mësuesve, 
Ju lutem, vazhdoni t’ia ofroni dhuratën e Darmës 
Kësaj bote me vuajtje dhe deluzione. 
Përkrah vëllezërve dhe motrave të mia në Sanga 
Unë lutem që Budat dhe Bodisatvat 
Do të mbeten me ne të gjithë, 
Dhe do të ndajnë botëkuptimin e dashamirësinë e tyre 
Që të gjitha qeniet të mund të përjetojnë 
Qetësinë e një zemre të paqtë. 

TRANSFERIMI I MERITAVE

Le të jenë të gjitha veprimet e mia pozitive 
Të trupit, fjalës dhe mendjes, 
Ato të së shkuarës, ato të këtij momenti 
Dhe ato të së ardhmes, 
Ndihmë në zbutjen e vuajtjes dhe trishtimit të kësaj bote. 
Duke dhuruar të gjitha meritat që kam grumbulluar 
Le të ndihmoj të gjitha qeniet të ndiejnë gëzim, dashamirësi dhe paqe. 
Le të jenë veprimet e mia 
Ndihmë për ata që janë vetëm, të gjejnë miqësi, 
Ndihmë për ata që kanë frikë, të ndihen të sigurtë, 
Ndihmë për ata që kanë urrejtje, të ndiejnë dashamirësi, 
Ndihmë për ata që janë të sëmurë, të jenë mirë. 
Gjithçka që bëj u tejçohet të tjerëve, 
Pra, le të përfitojnë ata nga sjellja ime 
Dhe mendimet e mia. 
Sadopak që ndiej se mund të bëj 
Le të jetë nga dashamirësia dhe nga besimi, 
Nga integriteti dhe nga vetëdija. 
Le të jetë praktika ime e bujarisë dhe etikës, 
Durimit, entuziazmit dhe meditimit e mbushur me mençurinë e Tatagatave. 
Le të jetojë shpirti i Bodisatvave përmes meje 
Dhe të prekë të gjitha qeniet sado afër apo larg, 
Qoftë të njohura apo të panjohura, 
E të ndihmojë në krijimin e një botë më paqësore.